Një ngjarje që mund të përfundonte me pasoja tragjike ka ndodhur mesditën e së enjtes në fshatin Pagarushë të Malishevës, ku një autobus i linjës Pagarushë–Malishevë u sulmua me armë zjarri.
Gazeta Sinjali mëson se Policia është njoftuar dje rreth orës 12:10 se ndaj autobusit ishin shkrepur të shtëna me armë automatike, duke vënë në rrezik jetën e udhëtarëve dhe drejtuesit të mjetit.
Njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe, në vendin e ngjarjes, kanë arrestuar të dyshuarin Sejdi Mazreku 57 vjeç.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se nga i dyshuari është sekuestruar një armë automatike AK-47, një karikator dhe nëntë fishekë të kalibrit 7.62 milimetra.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se autobusi ishte goditur në më shumë se pesë vende nga plumbat, megjithatë, fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Viktimë në këtë rast figuron V.S. ndërsa motivet e sulmit ende nuk janë bërë të ditura.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij sulmi janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!