Një aksion i Policisë i zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Prishtinë, ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar për vjedhje të rëndë dhe sekuestrimin e disa armëve. Hetimet intensive me aplikimin e masave të fshehta rezultuan me identifikimin e të dyshuarve, njëri prej të cilëve është i mitur, raporton Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se të arrestuarit janë Hazbi Sekiraqa, Enver Avdullahu dhe A.A., i mitur, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Në kuadër të aksionit policor janë kryer bastisje edhe në dy lokacione të ndryshme ku personave të dyshuar u janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri dhe gjësendet (stoli, disa ora dore, etj.), që dyshohet se janë të vjedhura.
Hazbi Sekiraqa është emër i njohur për organet e rendit
Vitin e kaluar, Gazeta Sinjali pati raportuar ekskluzivisht për arrestimin e Hazbi Sekiraqës, cili për një kohë qëndroi në arrati.
Sekiraqa tash e një kohë të gjatë ka pasur telashe me organet e rendit. Para 10 vjetësh ai kishte rënë në prangat e policisë për rrahjen e një gruaje.
Ndërsa shtatë vjet më parë, Policia gjatë një aksioni i kishte gjetur dhe sekuestruar Sekiraqës: një revole e llojit Ekol Special – 9mm, me një karikator dhe 5 fishek, një revole e llojit Cekos –6.35 mm, me një karikator dhe 5 fishek, një thikë ushtarake, dy thika te vogla, katër qese të dyshuara (marihuanë), ½ cigare e dyshuar (marihuanë), një paketim rizlle, një iPad i dëmtuar, një orë dore, katër telefona Nokia, një Iphone 4 etj.
Ndërsa vitin e kaluar, Sekiraqa ishte dërguar në Qendrën Korrektuese në Dubravë, në vuajtje të dënimit prej 1 vit e 10 muaj, periudhë kjo ku i është llogaritur edhe koha e paraburgimit nga 26 marsi 2019 deri më 5 maj 2021.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.