Gazeta Sinjali dje ka raportuar ekskluzivisht për grabitjen e armatosur që ndodhi në fshatin Parallovë të Gjilanit, ku disa persona të armatosur kanë shtënë me kallashnikov në drejtim të automjetit të “Besa Security”, i cili po bartte paratë e bankës “ProCredit”, që përfunduan në duart e të dyshuarve. Grabitësit dyshohet se kanë shkrepur rreth 30 plumba në momentin e grabitjes.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Prokuroria Themelore e Gjilanit.
“Nga informacionet e deritanishme dyshohet se tre persona të maskuar të pajisur me armë automatike kanë ndalur furgonin me para, në të cilin ishin katër persona, ku kanë shkrepur rreth 30 plumba“, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Sinjalin.
Sipas Prokurorisë, nga plumbat e shkrepur nuk ka persona të lënduar përveç dëmeve materiale. Ashtu siç raportoi dje edhe Sinjali, të dyshuarit më pas ia kanë vënë flakën veturës që e përdorën për të kryer grabitjen.
“Lidhur me rastin nuk ka ndonjë person të lënduar, përpos dëmeve të konsiderueshme materiale, ndërsa dyshohet se të njëjtit nga furgoni kanë marrë një shumë të parave dhe pastaj në një distancë nga vendi i ngjarjes kanë djegur automjetin, me të cilin dyshohen se kanë kryer këtë vepër penale”.