image Ekskluzive: E zbuloi që gruaja e tradhtoi me ish-zv/kryeministrin Haki Abazi, i shkoi në shtëpi për t'i kërkuar llogari dhe përfundoi si i dyshuar në polici

Ekskluzive

Ekskluzive: E zbuloi që gruaja e tradhtoi me ish-zv/kryeministrin Haki Abazi, i shkoi në shtëpi për t’i kërkuar llogari dhe përfundoi si i dyshuar në polici

news image

Në shoqërinë kosovare nuk janë aspak të rralla rastet kur fytyrat publike, ndonëse janë të martuar dhe me familje, përfshihen në afera seksuale apo lidhje intime jashtëmartesore, të cilat vetëm më vonë kuptohen nga publiku, shkruan Gazeta Sinjali.

Një historie të tillë duket se nuk i rezistoi as ish-zv.kryeministri Haki Abazi, i cili sipas provave të siguruara nga Gazeta Sinjali rezulton se në fund të vitit 2015, derisa ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve, nisi një lidhje intime jashtëmartesore me F.D (emër i njohur për redaksinë).

Përkundër faktit se të dy protagonistët kryesorë të kësaj ngjarjeje, Abazi dhe F.D, kishin edhe dikë tjetër në jetën e tyre, ky fakt nuk i pengoi ata që të nisin një lidhje intime mes vete.

F.D kishte rrëfyer para hetuesve policorë se lidhja intime mes saj dhe Haki Abazit nisi në fund të vitit 2015 dhe vazhdoi për së paku një vit.

Marrëdhënia intime e saj me Abazin dhe lidhja e dashurisë në të njëjtën kohë me tani bashkëshortin e saj, A.B, nxiti këtë të fundit që të provonte me ngulm të përballej me Haki Abazin dhe t’i kërkonte llogari për tradhtinë e tij dhe bashkëshortes së tij.

A.B nuk mundi ta kapërdinte faktin që gruaja e tij kishte qenë në një lidhje intime me Haki Abazin, i cili në të njëjtën kohë ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve, prandaj tentoi me çdo kusht që të kontaktonte me Abazin dhe t’i kërkonte llogari që “ia kishte joshur” gruan e tij, ani pse ishte i martuar dhe me fëmijë.

Duke u ndjerë i fyer, i thyer dhe i tradhtuar, A.B nuk ndaloi së tentuari për të kontaktuar me Haki Abazin, siç e quan “dashnorin” e gruas së tij.

A.B fillimisht kishte provuar të nisë bisedën me Abazin përmes rrjeteve sociale, por meqë ish-zv.kryeministri asnjëherë nuk iu përgjigj mesazheve të tij, A.B vendosi t’i shkojë Abazit në shtëpi, mirëpo as aty nuk arriti ta kontaktonte.

Në shtëpinë e Abazit, A.B kishte takuar vetëm nënën e ish-zv.kryeministrit, të cilës nga mllefi dhe inati që e shoqëronte, ia rrëfeu të gjithë historinë dhe arsyen se pse ai gjendej në shtëpinë e tyre.

Sipas provave te siguruara nga Gazeta Sinjali, të cilat ka një vit që janë deponuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, A.B pretendon se kishte vërtetuar se ish-zv.kryeministri Abazi kishte mbajtur lidhje intime me bashkëshorten e tij F.D, fakt ky që i ishte konfirmuar atij edhe nga vetë bashkëshortja e tij, e cila më vonë të njëjtën gjë e deklaroi edhe në polici.

Mirëpo, pas dështimeve të shumta për të kontaktuar dhe kërkuar llogari nga Haki Abazi, A.B u kujtua të inskenojë një histori “kanosje”, vetëm e vetëm që ta merrte vëmendjen e Abazit dhe të kishte mundësi, sipas tij, që të përballej me të, qoftë edhe në polici.

A.B vendosi ta denonconte Abazin, për “kanosje” me pretendimet se ish-zv.kryeministri urdhëroi dy persona të panjohur që t’ia zinin pritën dhe ta kërcënonin.

Në provat e siguruara nga Gazeta Sinjali, A.B kishte deklaruar se më 4 shkurt 2020, një ditë pasi që Abazi u emërua zv.kryeministër, derisa ai kishte qenë duke kaluar me veturë në rrugën e Shkupit, ishte bllokuar nga një veturë tjetër, nga e cila kishin dalë dy persona të panjohur, që e kishin kërcënuar me armë zjarri, duke i thënë “Mos shko kurrë ma te banesa e Haki Abazit për të ju treguar familjarëve të tij lidhur me rastin e 2014-2015”.

Vetëm një muaj pasi që e mori këtë post, ish-zv.kryeministri i Kosovës në Qeverinë Kurti, Haki Abazi, lidhur me denoncimin e A.B-së, u intervistua në cilësinë e dëshmitarit nga Policia e Kosovës në zyrën e tij, në kryeministri.

Cila është e vërteta sipas ish-zv.kryeministrit Haki Abazi?

Gazeta Sinjali ka arritur që të sigurojë deklaratën që Abazi e ka dhënë para hetuesve policorë, më 3 mars 2020, përderisa ishte në cilësinë e zv.kryeministrit të Kosovës.

Abazi, në deklaratën e siguruar nga Sinjali, mes tjerash e ka pranuar se që nga viti 2016 njihej me F.D dhe se gjatë këtij viti janë takuar tri herë për siç i quan ai, “biseda dhe çështje personale mes tyre”, por që pas vitit 2016 nuk ishte takuar më kurrë me të.

“Me personin F.D jemi njohur në janar të vitit 2016 dhe kemi pasur tri takime për çështje dhe biseda private dhe pas vitit 2016 anjëherë nuk kam komunikuar e as nuk jam takuar me të.”

Ndërkaq, Abazi e ka mohuar se e njeh ose që është takuar ndonjëherë me bashkëshortin e saj, A.B, por është shprehur se ky i fundit e ka ngacmuar dhe shqetësuar në vazhdimësi atë dhe familjen e tij.

Në deklaratën e siguruar nga Gazeta Sinjali, Abazi thotë se A.B është duke tentuar ta shantazhojë dhe degradojë atë si zv.kryeministër në atë kohë.

Pse A.B duke e ditur se rrezikon ndjekjen penale e inskenoi “kanosjen” nga Haki Abazi?

Faktin që kanosja u inskenua e pranoi edhe vetë A.B, por i njëjti tha se ajo ishte mundësia e vetme për t’u ballafaquar me Haki Abazin.

“Kanosja ishte inskenim, por ishte mënyra e vetme për t’u ballafaquar në polici me Haki Abazin.”

Por, i njëjti pranoi se lidhja intime e Haki Abazit dhe bashkëshortes së tij ndodhi vërtet në fund të vitit 2015 dhe se zgjati deri në fund të 2016-s.

A.B i qëndroi prapa edhe deklaratës së tij se kishte shkuar në shtëpinë e Abazit për t’i kërkuar llogari për lidhjen intime që zv.kryeministri pati me gruan e tij.

Çfarë deklaroi F.D (gruaja e A.B) lidhur me lidhjen intime jashtëmartesore me Haki Abazin?

Gazeta Sinjali posedon dëshminë e F.D, e cila më 4 shkurt 2020 e ka konfirmuar para hetuesve policorë se ka qenë në një lidhje intime me Haki Abazin, derisa ishte e lidhur edhe me tani bashkëshortin e saj, A.B.

Ajo, në mes tjerash, ka deklaruar se e ka njohur Haki Abazin në fund të vitit 2015 dhe që përreth një vit ka qenë në një lidhje intime me të.

Sipas deklaratës së F.D, të siguruar nga Sinjali, ajo kishte thënë se nuk ka qenë në dijeni që bashkëshorti i saj, A.B do të shkonte në shtëpinë e Haki Abazit për të kërkuar llogari nga ai.

Si ndryshoi A.B për policinë nga “ankues” në “të dyshuar”?

Deklarata e Abazit që A.B i ka shkuar në shtëpi dhe e ka shqetësuar vazhdimisht atë dhe familjen e tij bëri që A.B të intervistohej sërish nga policia, më 11 mars të vitit të kaluar, por këtë herë si i dyshuar për “ngacmim” ndaj ish-zv.kryeministrit dhe familjes së tij.

Gazeta Sinjali ka mësuar se më 16 mars 2020 është ushtruar kallëzim penal ndaj A.B, për “ngacmim”.

Për të ia mundësuar dhënien e versionit të tij lidhur me këtë ngjarje, Gazeta Sinjali ka kontaktuar në numrin personal të ish-zëvendëskryeministrit, Haki Abazi.

Në telefonatën e parë nuk është përgjigjur Abazi, por dikush tjetër. Pas 5 minutave që Gazeta Sinjali e ka njoftuar këtë person se rasti ka të bëjë pikërisht me Abazin, ish-zëvendëskryeministri ka telefonuar në numrin kontaktues të Sinjalit.

Abazi ka thënë se e gjithë kjo ngjarje është një orkestrim dhe se kjo “punë” sipas tij ka përfunduar.

“Edhe? Është përfundu si gënjeshtër e orkestrim. Ajo është gënjeshtër e orkestrume edhe aty ka përfundu ajo punë. Ajo ka qenë një tentim për shantazh edhe është përfundu prej Policisë, që mundeni m’i marrë informacionet. Krejt këto janë orkestrime dhe tentim shantazhimi. Gënjeshtër, shantazh”, ka thënë Abazi.

Sinjali posedon të gjitha dëshmitë e personave të përfshirë në këtë rast, por me qëllim të ruajtjes së privatësisë së A.B dhe F.D, të cilët tashmë janë të martuar me njëri-tjetrin, ka vendosur që të mos i publikojë. /Gazeta Sinjali/