image Ekskluzive: Dy të arrestuarit dhe i arratisuri ‘Hekri’ u zbuluan nga letra që e la i vetëvrari dhe nga pamjet e kamerave

Ekskluzive

Ekskluzive: Dy të arrestuarit dhe i arratisuri ‘Hekri’ u zbuluan nga letra që e la i vetëvrari dhe nga pamjet e kamerave

news image

Një aksion i madh i Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë rezultoi me arrestimin e dy personave të dyshuar për shtytje në vetëvrasjen e 37-vjeçarit nga Lipjani, Bashkim Salihut. Babë e bir kanë rënë në pranga, ndërsa cak i Policisë është edhe një person tjetër, raporton Gazeta Sinjali.

Sot Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se dy të arrestuarit janë Skender dhe Albion Tasholli, babë e bir nga Lipjani dhe Ekrem Gashi, i arratisur, që njihet si “Hekri”.

Sipas të njëjtave burime, tre të dyshuarit u zbuluan përmes letrën që ka lënë i ndjeri, të cilën e shkroi pak para se ta kryente aktin e rëndë.

Në atë letër përmenden emrat e tre të dyshuarve, por identiteti i dy prej tyre doli në dritë edhe përmes video incizimeve të marra nga biznesi i Salihut.

Ndryshe, në koordinim me Prokurorin e Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe me urdhër verbal të gjyqtarit, është bastisur mbrëmë edhe shtëpia e Gashit në Prishtinë.

Njësi të shumta policore kanë zbarkuar edhe në shtëpinë e familjes Tasholli në Gadime, ku janë sekuestruar disa dokumente, në cilësinë e provave materiale, thonë tutje të njëjtat burime.

Në bazë të informacioneve të para, arrestimi i të dyshuarve që janë cak i Policisë e Prokurorisë pritet të zbulojë detaje për vetëvrasjen e Salihut, i cili dyshohet se i dha fund jetës nga problemet me fajdexhinj.

Gazeta Sinjali do të iu mbajë të informuar me detaje të reja.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/