Një zhvillim i ri ka ndodhur në rastin e tentim-vrasjes që tronditi Prishtinën më 16 prill 2026, ku pas hetimeve intensive një nga të dyshuarit është paraqitur në Polici bashkë me avokatin dhe ka dorëzuar armën që dyshohet se është përdorur në rast, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Liridon Canollin, rreth 21-vjeçar, i cili tashmë është ndaluar për 48 orë.
Sipas informatave, rasti kishte ndodhur më 16 prill 2026 rreth orës 03:45 në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë dhe ishte iniciuar si: “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Viktimë në këtë rast është Blerim Shuleta , rreth 32-vjeçar.
Sinjali mëson se gjatë hetimeve policore ishin identifikuar si të dyshuar: Liridon Canolli, rreth 21-vjeçar, Gramos Krasniqi, rreth 23-vjeçar, Kreshnik Krasniqi, rreth 20-vjeçar, dhe Pajtim Maqkofci, rreth 36-vjeçar.
Sipas burimeve, të dyshuarit fillimisht ishin kërkuar në disa lokacione dhe në adresat e tyre të banimit, por nuk ishin gjetur, ndërsa ndaj tyre ishte lëshuar kërkim policor dhe ftesë për paraqitje.
Më 20 prill 2026, Pajtim Maqkofci ishte intervistuar në QKUK në cilësinë e të dyshuarit dhe më pas ishte liruar në procedurë të rregullt.
Zhvillimi i fundit ndodhi më 15 maj 2026, kur Liridon Canolli, në shoqërinë e avokatit mbrojtës, është paraqitur në Njësinë e Hetimeve në Prishtinë dhe ka dorëzuar një pistoletë me mbishkrimin “7.62 mm M57”, bashkë me gjashtë fishekë, armë për të cilën dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Pas intervistimit në prezencë të avokatit, me vendim të Prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!