image Ekskluzive | Dallaveret me prona në Kadastrën e Kosovës: Gjykata rrëzon kërkesën për paraburgim, pesë të arrestuarit lirohen

Siguri

Ekskluzive | Dallaveret me prona në Kadastrën e Kosovës: Gjykata rrëzon kërkesën për paraburgim, pesë të arrestuarit lirohen

news image

Gjykata Themelore në Prizren ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë personave të arrestuar në aksionin e zhvilluar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe disa lokacione të tjera.

Siç mëson Sinjali, seanca është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ndaj të dyshuarve është vendosur masa e “paraqitjes në stacion policor”, duke i liruar nga ndalimi, ndërsa burime nga gjykata bëjnë të ditur se rasti është trajtuar aty pasi njëri nga të arrestuarit, Agim Bytyçi, ka qenë ish-administrator në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Agim Bytyçi, me profesion jurist dhe me detyrë Udhëheqës i zyrës për menaxhimin e lëndëve, dyshohet se ka krijuar dosje fiktive për të mundësuar legalizimin e një dokumenti të falsifikuar.

Ndërkohë, A.Q. dhe N.K. dyshohet se kanë përdorur një dokument të dyshuar të vitit 1966, të titulluar “Kontratë për këmbim të paluajtshmërive”, për të paraqitur në mënyrë të rreme një këmbim pronash dhe për të përfituar kundërligjshëm pasuri, ku sipas hetimeve, me ndihmën e Agim Bytyçit dokumenti është prezantuar si autentik dhe është futur në arkivat gjyqësore.

Të arrestuarit Agim Bytyçi, Bashkim Shaqiri, Mejreme Bajraktari dhe dy të tjerët me iniciale N.K., A.Q ishin ndaluar për 48 orë gjatë aksionit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili ishte zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Sipas hetimeve, ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim dokumenti” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, lidhur me dyshime për manipulim të dokumenteve pronësore dhe regjistrim të kundërligjshëm të pronave.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/