image Aksioni në Agjencinë Kadastrale, prangosen pesë persona për falsifikim dhe keqpërdorim detyre

Siguri

Aksioni në Agjencinë Kadastrale, prangosen pesë persona për falsifikim dhe keqpërdorim detyre

news image

Pesë persona kanë përfunduar në pranga në aksionin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i zhvilluar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe në disa lokacione të tjera.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni është realizuar në orët e hershme të mëngjesit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndërsa të ndaluarit janë mbajtur për 48 orë me inicialet A.B., N.K., A.Q., B.SH. dhe M.B.

“Të dyshuarit, dyshohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i Detyrës apo Autoritetit Zyrtar’’, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprën penale ‘’Falsifikimi i Dokumentit’’ nga neni 390 të KPRK-së, si dhe veprën penale ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’ sipas nenit 395 të KPRK-së.”

Sipas Prokurorisë, dy nga të dyshuarit kanë përdorur një kontratë të falsifikuar të vitit 1966 për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme pronë.

Një zyrtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë dyshohet se ka krijuar dokumente fiktive për të mundësuar legalizimin e saj, ndërsa dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat duke aprovuar regjistrimin e pronës në mënyrë të paligjshme.

“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e masës së sigurisë në procedurë penale ndaj të pandehurve. Prokuroria Themelore në Prishtinë, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.”, thuhet tutje në njoftim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/