image Çekët e arrestuar s`do ta shohin ndeshjen as në televizor

Kosovë

Ekskluzive/ Çekët e arrestuar s`do ta shohin ndeshjen as në televizor

news image

Tetë çekët e arrestuar dje në Kosovë nën dyshimin për nxitjen e provokimeve në ndeshjen e Kosovës me Çekinë që do të zhvillohet sot, nuk do të mund ta shohin ndeshjen as përmes televizionit, raporton Sinjali.

Përderisa me urdhër të prokurorit 8 çekët e përfshirë në këtë rast janë liruar pas intervistimit, ata janë obliguar të paraqiten dy herë gjatë ditës së sotme në Policinë e Kosovës.

Paraqitjen e parë e kanë pasur në Prishtinë ndërsa paraqitja e dytë do të jetë në Ferizaj. Tetë çekët sipas Policisë së Kosovës janë të obliguar të lajmërohen në Policinë e Kosovës në Ferizaj në orën 16:00.

Rrjedhimisht çekët nuk do të mund ta shikojnë ndeshjen e Kosovës me Çekinë as nga stadiumi “Fadil Vokrri” e as nga televizori.

Majori, Mehetali Hajdini nga Policia e Kosovë i cili është edhe shef i operatives rajonale të Ferizajt, ka thënë për Sinjalin sot se çekët janë të obliguar të paraqiten në stacion në ora 16:00.

“Tetë personat e arrestuar gjatë ditës së djeshme janë të obliguar që gjatë ditës së sotme të paraqiten në stacionit e Policisë së Kosovës. Paradite kanë qenë të obliguar të paraqiten tek Policia e Kosovës në Prishtinë, ndërsa në ora 16:00 janë të obliguar të paraqiten në stacionin e Policisë në Ferizaj”, ka deklaruar Hajdini për Sinjalin.

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht gjatë ditës së djeshme për tetë çekët e arrestuar të cilët janë: Jan Zorabiç, Tereza Honkova, Jan Stiler, Jakub Grus, Filip Çervenka, Nikola Zborilova.

Burime të sigurta të Sinjalit nga Policia e Kosovës, kanë bërë të ditur se ky grup kishte qenë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës pas informatave për vepra të dyshimtë.

Behet e ditur se ky grup ka qenë në përcjellje të policisë për një kohë dhe se të njëjtit kanë synuar t’i kamuflojnë veprimet e tyre duke u paraqitur si përfaqësues të organizatave ndërkombëtare

Në anën tjetër Policia e Kosovës për Sinjalin ka konfirmuar se nga çekët janë konfiskuar një flamur i Serbisë, një flamur anti-kombëtarë, një dron, një kamerë, dy radiolidhje dhe gjashtë thika të vogla./Sinjali/