image Ekskluzive | 'Bosi' i kazinove në Prizren dhe polici Bytyqi në mesin e të akuzuarve për krim të organizuar

Drejtësi

Ekskluzive | ‘Bosi’ i kazinove në Prizren dhe polici Bytyqi në mesin e të akuzuarve për krim të organizuar

news image

Safet Kyçyky i njohur si ‘bossi’ i bixhozit tashmë do të ulet në bankën e të akuzuarve për vepra penale që ndërlidhen me krimin e organizuar. Bashkë me të, po akuzohet edhe zyrtari policor Luan Bytyqi, të arrestuar të dy në një aksion të Policisë, në tetor të vitit 2022. Ndaj tyre dhe 14 personave të tjerë, Prokuroria Speciale njoftoi sot për ngritjen e aktakuzës, raporton Gazeta Sinjali.

Bashkë me ta, në këtë rast po akuzohet edhe djali i Safetit, Ilirjan Kyçyku, si dhe Visar Tabaku, Armend Danqeli, Agim Suka, Demokrat Kurtaj, Enis Gunaj, Hetem Xhekaj, Adem Gashi, raporton ekskluzivisht Sinjali.

Sipas aktakuzës Safet Kyçyku dhe polici Luan Bytyqi akuzohen për kryerjen e veprës penale “Fajdeja në tentativë, në bashkëkryerje”.

Kyçyku akuzohet me tre të tjerë edhe për veprën penale “Shpëlarja e parave”, ndërsa Bytyqi edhe për kryerjen e veprave penale “Detyrim” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.”

“Sipas aktakuzës të pandehurit: I S.K,  I.K,  P.K,  A. D,  D.K,  B.K,  A.S,  V.T,   A.G,  H. Xh,  M. K,  D.K, akuzohen se kanë kryer veprën penale: Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Të pandehurit S. K dhe L. B akuzohen për kryerjen e veprës penale: Fajdeja në tentativë, në bashkëkryerje.

I pandehuri L.B. akuzohet edhe për kryerjen e veprave penale: Detyrim dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Gjithashtu, të pandehurit S.K. , E.G. dhe S.G. V. H. dhe L. K. akuzohen se kanë kryer veprën penale:  Shpëlarja e parave.

Ndërkaq, i pandehuri B.K. akuzohet se ka kryer edhe veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim  të pa autorizuar të armëve.

Në këtë rast janë konfiskuar: Pajisje elektronike; Para të gatshme dhe para në llogaritë bankare; Tokë me sipërfaqe prej 1285 m2; Shtëpi me sipërfaqe prej 306 m2, si dhe 6 banesa.” – njoftoi sot Prokuroria Speciale.

Ndryshe, aksioni që ishte koduar si ‘Toto’, ku u arrestuan të njëjtit para dy vitesh, erdhi si rezultat i një pune të gjatë hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nën menaxhim të Prokurorisë Themelore në Prizren, e të asistuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Hetimi kishte shpërfaqur se regjioni i Prizrenit është përdorur si fole për aktivitetin e fajdes dhe organizimin e lojërave të fatit në mënyrë të kundërligjshme, për një periudhë të gjatë kohore – për çka kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/