image Mega-aksioni 'TOTO' kundër fajdes e bixhozit po vazhdon, Policia konfirmon raportimin e Sinjalit
[wp-story id="814678"]

Mega-aksioni ‘TOTO’ kundër fajdes e bixhozit po vazhdon, Policia konfirmon raportimin e Sinjalit

news image

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për një mega-aksion të gjerë të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës që po vazhdon ende për t’i dhënë goditje krimit të fajdes dhe bixhozit të paligjshëm në regjionin e Prizrenit dhe Prishtinës. Zhvillimin e aksionit e ka konfirmuar tashmë edhe Policia.

Në një njoftim për media është bërë e ditur ajo që veç raportoi Sinjali se bastisjet po vazhdojnë në disa lokacione, teksa ka edhe të arrestuar.

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se përveç zyrtarit policor Luan Bytyqi që tashmë është arrestuar, i dyshuar është edhe Safet Kyçykun, i cili sipas informacioneve të para dyshohet për organizimin e bixhozit të paligjshëm për një periudhë të gjatë kohore.

“Sot në orët e pasdites, si rezultat i  hetimit disa mujor, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Gjykatës Themelore në Prizren, janë duke realizuar një operacion të gjerë të koduar me emrin “TOTO” në disa rajone të vendit.

Operacioni i lartcekur ka për qëllim zbatimin e Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren për arrestimin e personave të dyshuar (përfshirë edhe një zyrtar policor) dhe kontrollin e disa lokacioneve (Prizren, Prishtinë, Malishevë, Suharekë) .

Hetimi është duke u zhvilluar mbi bazën e dyshimit se nga të dyshuarit në këtë rast janë kryer vepra penale të “Fajdes”, Detyrimit” dhe “Organizimi i Skemave Piramidale dhe Bixhozit të Paligjshëm”.

Deri në këtë fazë të realizimit të operacionit janë kontrolluar disa lokacione dhe deri me tani janë arrestuar disa persona të dyshuar.”

Sinjali po ashtu raportoi, me rastin e bastisjes në këto lokacione do të sekuestrohen pajisje elektronike, telefona të mençur, vetura e sende tjera të luajtshme, të cilat do të shërbejnë si prova gjatë fazes së mëtutjeshme të hetimit.

“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e parave, disa vetura, telefona mobil, armë dhe municion.

Pasi që operacioni është ende në zhvillim e sipër detajet shtesë do të ofrohen pas përfundimit të operacionit policor përmes një komunikate shtesë.”, njoftoi Policia.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/