image Ekskluzive | Bie në pranga edhe i dyshuari i shtatë për vjedhjen 14 mijë euro në “EUROCABLE” – dyshohet se grabitën një ton bakër nga kompania në Gjilan

Siguri

Ekskluzive | Bie në pranga edhe i dyshuari i shtatë për vjedhjen 14 mijë euro në “EUROCABLE” – dyshohet se grabitën një ton bakër nga kompania në Gjilan

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe personin e shtatë të dyshuar për vjedhjen e rëndë që tronditi Gjilanin në fund të muajit mars, kur nga kompania “EUROCABLE” SHPK u vodhën rreth një mijë kilogramë bakër në vlerë prej afro 14 mijë eurosh, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në pranga ka përfunduar edhe Ilir Bislimi, 40-vjeçar, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të përfshirë në këtë vjedhje të organizuar.

Sipas hetimeve, gjatë natës mes 29 dhe 30 marsit 2026, të dyshuarit kishin depërtuar me forcë në objektin e kompanisë përmes një dritareje në pjesën e pasme të ndërtesës, prej nga kishin arritur të nxjerrin dhe të vjedhin fije metalike të bakrit në sasi prej një toni.

Sipas ankuesit, dëmi i shkaktuar nga kjo vjedhje kap vlerën e rreth 14 mijë eurove.

Ilir Bislimi është arrestuar mëngjesin e 10 qershorit dhe është intervistuar në Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Gjilan, në prani të avokatit mbrojtës.

Në konsultim me Prokurorin e çështjes, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rolit të secilit të dyshuar në këtë rast po vazhdojnë.

Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm gëzon prezumimin e pafajësisë dhe konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

/GazetaSinjali/