Pas një hetimi disa mujor dhe operacioneve intensive në terren, Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona që dyshohen për një nga vjedhjet më të mëdha industriale në Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, në koordinim me Prokurorinë Themelore, ka realizuar aksionin pas sigurimit të provave përmes hetimeve të avancuara dhe masave të fshehta teknike.
Të arrestuarit janë: Leotrim Nuredini, Egzon Kosumi, Mërgim Lahi, Leutrim Lahi, Imran Deliu dhe Edonis Osmani.
Sipas hetimeve, grupi dyshohet se në bashkëveprim kishte kryer vjedhjen e rëndë në fabrikën për përpunimin e telave të rrymës “EURO CABLE” në Gjilan, ku më 29 mars dyshohet se ishte vjedhur rreth një ton tel bakri me vlerë afërsisht 12 mijë euro.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se hetuesit dyshojnë se i njëjti grup mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda në rajone të ndryshme, për çka hetimet po vazhdojnë.
Gjatë aksionit, me urdhër të Gjykatës Themelore, Policia ka kryer bastisje në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Nga kontrollet janë sekuestruar prova materiale, përfshirë tri automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve, si dhe telefona celularë.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të gjashtë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të këtij grupi dhe rasteve të tjera të mundshme janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!