Një incident i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Qendrën Edukuese Korrektuese për të Mitur në Lipjan, ku dy të mitur kanë arritur të largohen nga institucioni ku po vuanin masat edukative të shqiptuara nga gjykata.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se rreth orës 21:30 zyrtarët korrektues kanë njoftuar Policinë se dy të mitur, të vendosur në këtë qendër me vendime gjyqësore, kishin arritur të arratiseshin nga institucioni.
Bëhet fjalë për dy të mitur nga Gjilani, të moshës 15-vjeçare, të cilët ndodheshin në qendër në kuadër të masave edukative të shqiptuara nga organet kompetente.
Sipas informacioneve, njëri prej tyre kishte rreth katër muaj që qëndronte në qendër dhe po vuante masë edukative në kohëzgjatje prej dy vitesh, ndërsa tjetri kishte rreth tre muaj në institucion dhe ishte i vendosur aty me masë edukative prej një viti.
Pas alarmimit të Policisë dhe angazhimit të institucioneve kompetente, dy të miturit janë lokalizuar dhe rikthyer në Qendrën Edukuese Korrektuese në Lipjan, ku do të vazhdojnë zbatimin e masave edukative të shqiptuara ndaj tyre.
Lidhur me rastin është iniciuar procedurë për “Arratisje të personit të privuar nga liria”, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat se si dy të miturit kanë arritur të largohen nga institucioni korrektues.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!