image Ekonomia e SHBA-së po rikthehet, fillon rihapja e fabrikave të veturave

Botë

Përgatitjet/ Ekonomia e SHBA-së po rikthehet, fillon rihapja e fabrikave të veturave

news image

Industria e veturave në Shtetet e Bashkuara po i kthehet ngadalë gjendjes normale. Disa fabrika pritet të hapen të hënën në sektorin ku janë të punësuar rreth një milion persona.

Prodhuesit “General Motors”, “Ford” dhe “Fiat Chrysler Automobiles” qe disa javë i kanë filluar përgatitjet për rihapjen e fabrikave të tyre në Amerikën Veriore në përpjekje për ta riaktivizuar veprimtarinë në një industri që përbën rreth 6 për qind të aktivitetit ekonomik në Shtetet e Bashkuara.

Për prodhuesit e veturave dhe furnizuesit e tyre, shumë prej të cilëve i rihapën fabrikat javën e kaluar, rifillimi i prodhimit është jetik për t’i dhënë fund mungesës së qarkullimit të mjeteve financiare, të shkaktuar nga izolimi dymujor.

Prodhuesit do të përqendrohen në rifillimin e prodhimit të modeleve që janë më fitimprurëse, përfshirë Chevrolet Suburban SUV, Ford F-150 dhe Jeep Wrangler, shkruan “Reuters”.

Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump, të enjten pritet ta vizitojë një fabrikë të kompanisë “Ford” në Michigan, e cila është futur në funksion për prodhimin e ventilatorëve dhe pajisjeve mbrojtëse për stafin mjekësor.

Një zëdhënës i këtij prodhuesi tha se fabrikat ku më parë është punuar me tri ndërrime do të punojnë me dy ndërrime, ndërsa fabrikat në të cilat është punuar me dy ndërrime do të funksionojnë me një ndërrim./ Gazeta Sinjali/