Në një grup të Facebookut, një qytetare u ankua për ekipin mjekësor emergjent të Komunës së Prishtinës, që sipas saj nuk arriti me kohë kur kërkohej të intervenohej në një rast që ndodhi sot në Pishinën e Gërmisë.
Sipas kësaj qytetare: “Vetura e ndihmës emergjente ishte në pishinë por stafi mjekësor mungonte. U desh të kalonte 40min të vinte ekipi kujdestar”.
Ajo madje ia bëri edhe një pyetje publike drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashit, se “a i dinë punëtorët, stafi mjekësor përgjegjësitë e veta?“
Për këtë ngjarje Gazeta Sinjali ka kontaktuar Gashin për ta pyetur se çfarë ndodhi sot në këtë pishinë me ekipin mjekësor dhe a iu dha ndihma pacientes që kishte nevojë.
Sipas Gashit, ekipa mjekësore ka shkuar për pak minuta në pishinë dhe pacienten e kanë dërguar me shenja jete në Emergjencë.
“Ekipet e QMU-së, pra të shërbyesit publikë, urgjenca publike, qendra e Mjekësisë emergjente janë kontaktuar në 13:50 prej qytetarëve për një rast emergjent. Ekipa ka shkruar brenda 5 minutave në pishinë. Pishina i ka disa rregulla të veta, nuk mundet me u zhvillua aktivitetit pa pasur ekipë mjekësore. Edhe pishina besoj që ka kontratë me ndonjë kompani private, por me ne nuk ka marrëveshje. Ekipet tona publike nuk kujdestarojnë në pishinë. Sipas rregullave pishina duhet me pasë një ekipë mjekësore.
Besoj që ka pasur ekipë aty, sepse kur ka shkuar ekipa jonë aty ka qenë një doktoreshë duke u marrë me pacientin. Ekipa jonë e ka dhënë ndihmën emergjente, e ka marrë pacientin, e ka transportuar me shenja jete në klinikë.
Ne jemi te gatshëm t’i përgjigjemi çdo thirrje të çdo qytetari te Kryeqytetit në rast të ndonjë urgjence”, tha Gashi për Sinjalin.