Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në seancën e të mërkurës, ekipi mbrojtës i Selimit ka filluar ta marr në pyetje dëshmitarin e 24-të në këtë çështje (me kodin 4255).
I njëjti po përgjigjet në pyetjet e avokatit Geoffrey Roberts.
Ky dëshmitar ka filluar dëshminë e tij më 12 shtator ku i është përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ekipit mbrojtës të Thaçit dhe Veselit.
Gjatë leximit të përmbledhjes së dëshmisë së tij nga ZPS u tha se ka qenë komandat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për një periudhë të caktuar kohore dhe se ishte edhe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Seanca po vazhdon në sesion privat me kërkesë të avokatit Roberts, me arsyen për të mbrojtur dëshmitarin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.