Drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian, Angelina Eichhorst, ka uruar Isa Mustafën për rizgjedhjen si kryetar i LDK-së, transmeton Sinjali.
Njëherësh, ajo ka theksuar zotimin e institucioneve të BE-së për të përkrahur Kosovën.
Kështu ka njoftuar Zyra për Informim e LDK-së, përmes një shkrese për shtyp.
“Me një lidhje telefonike, kryetari Mustafa, sot pranoi urime nga Zëvendës Drejtorja Menaxhuese për Evropë dhe Azinë Qendrore / Drejtorja për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian, znj. Angelina Eichhorst. Znj. Eichhorst uroi kryetarin Mustafa për rizgjedhjen në mandatin e tretë në krye të LDK-së dhe theksoi zotimin e institucioneve të Bashkimit Evropian për vazhdimin e përkrahjes së Kosovës drejt integrimit euroatlantik, me theks të veçantë përmbylljen e dialogut Kosovë – Serbi”, thuhet në njoftim./Sinjali/