image Edita Tahiri: Mini-Shëngeni krijon Serbinë e Madhe

Kosovë

Reagim/ Edita Tahiri: Mini-Shëngeni krijon Serbinë e Madhe

news image

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka komentuar mbajtjen e takimit të radhës për mini-Shëngen në Durrës, ku morën pjesë liderët e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Tahiri përmes një postimi në Facebook ka akuzuar Edi Ramën për mbështetjen e kësaj ideje, realizimi në praktikë i së cilës, sipas saj, krijon bërthamën ekonomike për Serbinë e Madhe.

“Se ideja e ‘mini-Shëngenit’ krijon bërthamën ekonomike për ‘Serbinë e Madhe’ këtë gjithë shqiptarët po e shohin, përveç Edi Ramës. E lumtur me reagimet e mençura dhe strategjike të shqiptarëve për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të penguar neo-hegjemoninë serbe në Ballkan”, shkruan ajo.

Nisma për krijimin e mini-Shëngenit u konkretizua në tetor të këtij viti, pasi BE-ja refuzoi të hapë procesin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ideja e një bashkëpunimi më të ngushtë të shteteve të Ballkanit Perëndimor ishte iniciuar në një samit rajonal në Trieste në vitin 2017, ku vendet pjesëmarrëse ranë dakord për një plan aksion drejt një zonë ekonomike rajonale.

Kjo iniciativë synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve si dhe forcimin e nyjave ekonomike në rajon.

Drejtues të shtetit të Kosovës kanë refuzuar ftesat për pjesëmarrje në takimet për mini-Shëngenit ballkanik, duke thënë se krijimi i tij paraqet zgjerim të ndikimit të Rusisë në Ballkan./Gazeta Sinjali/