image Edi Rama puth në ballë oligarkun e "Rrugës së Kombit"

Rajon

Video/ Edi Rama puth në ballë oligarkun e “Rrugës së Kombit”

news image

Kryeministri Edi Rama ishte dje në shoqërinë e Kryetarit të Bashkisë Veliaj në një familje që kishte humbur shtëpinë e vjetër nga tërmeti 5,8 ballësh i 21 Shtatorit.

Kryetari Veliaj po prezantonte një e nga një të gjithë anëtarët e familjes që kishin humbur shtëpinë kur befas u shfaq edhe Pëllumbi, mirëbërësi, ndërtuesi i shtëpisë së re ku banorët do fusin kokën. “Oooo, ku je more” –dëgjohet Kryeministri t’i drejtohet Pëllumb Salillarit i cili i lumtur afrohet dhe merr një puthje mirënjohëse në kokën e tij.

Mirëbërësi është një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave shtetërorë, një nga ndërtuesit më të përmendur të rrugëve apo veprave të tjera publike. I mirënjohur në mes të tjerash edhe për tenderin e fundit të Unazës së re prej rreth 15 milion milionë Euro. Salillari gjithashtu është përfituesi i koncesionit të Rrugës së Kombit bashkë me Kastratin, shkruan dosje.al.

Pas tërmetit të fundit firma Salillari dhuroi 1 milion Euro si kontribut për të dëmtuarit. Ajo që bie në sy në këtë video është prezenca e Salillarit sa herë ka nevojë Kryeministri të bëjë bamirësi.

Në një shkrim të para ca kohëve, Andi Bushati përmend rastin e familjes Koci nga Marikaj e cila jetonte në varfëri ekstreme siç shfaqet edhe në videon më poshtë.

Por ndërhyrja e Kryeministrit sapo merr vesh varfërinë është e menjëhershme. Salillari si fillim e punëson të zotin e shtëpisë e më pas i ndërton edhe shtëpinë dykatëshe… Po si arriti Kryeministri të bindte Salillarin të shpenzonte paratë nga biznesi i tij për të skamnorin e Marikajt? Po për këtë të Petrelës? Çdo njeri me logjikë normale do të mendojë se janë pikërisht përfitimet e Salillarit nëpër tendera që krijojnë edhe këto marrëveshje të dyshimta.

Janë pikërisht këto ndikime të ndërsjellta që e kthejnë një biznesmen të zakonshëm në oligark. Një biznesmen i ndershëm fiton tendera dhe paguan taksa. Nëse bën bamirësi është puna e tij, jo e Kryeministrit. Shfaqja e një biznesmeni si zbatues të vullneteve bamirëse kryeministrore e kompromenton rëndë ndershmërinë e tij.