image Digjen edhe tri makina në Leposaviq, Presidenca: Strukturat ilegale të Serbisë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese

Politikë

Digjen edhe tri makina në Leposaviq, Presidenca: Strukturat ilegale të Serbisë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese

news image

Shefi i Stafit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela ka njoftuar se edhe tri makina të tjera me targa të Republikës së Kosovës janë djegur në Leposaviq.

Ai thotë se strukturat ilegale të Serbisë të diskredituara dhe me mbështetjen e pakësuar nga serbët e Kosovës tashmë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese.

“Sundimi i ligjit do të mbizotërojë dhe çdo fajtor do të sillet para drejtësisë. Regjimi piromaniak i Vuçiqit do të dështojë”, ka shkruar Vela.

Ndryshe, dy netët e fundit, persona të panjohur u kanë vënë flakën tri veturave të qytetarëve serbë në veri të vendit.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se veturat iu përkasin komunitet serb e që kanë qenë të parkuara në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri.

Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet ‘zjarrvënie’ për procedura të mëtejme hetimore.

Më 23 nëntor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për të tejkaluar krizën rreth targave të makinave.

Deri atëherë, Kosova pati insistuar në riregjistrimin e të gjitha makinave me targave serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Mirëpo me marrëveshjen e nëntorit, Kosova është zotuar për heqje dorë nga masat ndëshkuese lidhur me targat, derisa Serbia është zotuar se nuk do të lëshojë më targa ilegale.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka treguar se sa makina me targa të tilla janë riregjistruar në RKS.

Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia.

/GazetaSinjali/