image Presidenca s’e përmend Qeverinë për rastin e Klan Kosovës, ia lë në dorë drejtësisë

Kosovë

Presidenca s’e përmend Qeverinë për rastin e Klan Kosovës, ia lë në dorë drejtësisë

news image

Zyra e Precidencës ka reaguar pas vendimit të MINT për pezullimin e licencës së televizionit Klan Kosova, duke thënë se liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike dhe se çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit në fjalë, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës.

Nga Presidenca gjithashtu thonë se duhet vlerësuar e mbrojtur liria e mediave duke krijuar kushte për të në përputhje me ligjet e vendit, teksa shtoi se respektimi i ligjeve për ruajtjen e rendit është thelbësor.

“Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë. Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social.

Promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë parime bazike të shoqërisë sonë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit tonë.

Presidentja e Republikës pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”, thuhet në reagimin e Presidencës.

/GazetaSinjali/