Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi u bëri thirrje autoriteteve serbe që t’i nxjerrin para drejtësisë autorët e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, si dhe ata që i mbuluan vrasjet e tyre në vitin 1999.
Në përvjetorin e vrasjes së tre shtetasve amerikanë, Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi, ambasada kujtoi se ka kaluar edhe një vit pa zbardhjen e rastit.
“Edhe një vit tjetër, gjatë të cilit gjyqësori serb nuk solli askënd para drejtësisë për këtë krim torturues lufte. Ne nuk do ta harrojmë këtë krim”, tha përmes një deklarate Ambasada amerikane në Beograd.
Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët e atëhershëm serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.
Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë.
Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.
Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyqi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.
Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në shkurt të vitit 2019 se vrasja e vëllezërve Bytyqi është një krim i rëndë dhe se Serbia po bën gjithçka që duhet për të hetuar rastin, shkruan REL.
Në tetor të vitit 2019, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka miratuar një rezolutë që kërkon nga Serbia të zgjidhë rastin e vrasjes së tre vëllezërve.
Në dokument është thënë se zhvillimi i marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë do të duhej të varej nga përparimi që bëhet në zgjidhjen e këtij rasti.