image Edhe një qendër e re vaksinimi do të hapet në Prishtinë

Shëndetësi

Edhe një qendër e re vaksinimi do të hapet në Prishtinë

news image

Deri të enjten 57 për qind e qytetarëve të Kosovës nga mosha 12 vjeç e lart janë vaksinuar me dy doza ndërsa rreth 91 mijë apo 6 për qind, me dozën e tretë apo përforcuese.

Skender Poloska, që mori sot dozën e tretë, tha se do të duhej të shtoheshin pikat për vaksinim.

“Duhet për presësh për një kohë të gjatë. Po të kishin edhe dy qendra të tjera, më shumë njerëz do të ishin vaksinuar”, tha ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, tha se gjatë ditëve në vijim do të shtohet edhe një qendër tjetër vaksinimi.

“Kjo është në kuadër të masivizimit të procesit dhe ne si ministri u bëjmë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë këto mundësi të reja dhe ata që ende nuk janë vaksinuar kundër COVID-19 ta bëjnë këtë sa më parë. Ditëve në vijim do të ketë edhe një qendër shtesë gjithashtu në një lagje tjetër të Prishtinës dhe kësisoj janë krijuar gjitha mundësitë që qytetarët pa asnjë pengesë t’i qasen lehtë procesit të vaksinimit dhe të vaksinohen”, tha ai.

Që nga një shkurti e deri më sot, 47 persona kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me COVID-19, ndërsa përgjatë muajit janar u raportuan 24 vdekje.

Të enjten, autoritetet e shëndetësisë thanë se katër persona kanë humbur jetën ndërsa janë regjistruar 717 raste të reja infektimesh në 24 orët e fundit. Numri i të prekurve është më i vogël krahasuar me muajin janar kur ka pasur ditë me nga 4 mijë të infektuar.

Ministria e Shëndetësisë tha se numri i të infektuarve u konfirmua pas më shumë se 4 mijë e 132 testeve, ku rreth 17 për qind e të testuarve dolën pozitivë.

Autoritetet thonë se është ende e rëndësishme të zbatohen masat kufizuese, të cilat ndalojnë lëvizjen e qytetarëve nga mesnata deri në orën 5 të mëngjesit si dhe kufizimin e punës së bareve e restoranteve nga ora 23 deri në orën 5 për të parandaluar infektimet, ndonëse kundërshtarët e masave kufizuese nuk shohin ndonjë ndikim nga shkurtime të tilla. /voa

/GazetaSinjali/