Kryeministri Albin Kurti është shprehur se zotimi i Qeverisë që udhëhiqet nga ai për luftimin e krimit dhe korrupsionit po i jep sinjalet e para. Kjo pasi Kosova shënoi progres në indeksin e antikorrupsionit që u publikua nga organizata “Transparency International”.
Kosova është ngritur për 17 vende në këtë indeks dhe sipas Kurtit ky është sukses i Qeverisë aktuale.
Kurti thotë se organizatat kredibile po i vlerësojnë pozitivisht veprimet e Qeverisë kundër korrupsionit.
“Zotimi ynë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional është duke dhënë sinjalet e para shumë optimiste. Nga pozita 104 në pozitën e 87, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Kosova e ka përmirësuar pozitën e saj për 17 vende. Ende pa u bërë një vit nga marrja e detyrës, veprimet tona kundër korrupsionit, vlerësohen pozitivisht nga organizata kredibile. Sigurisht që duhet edhe më mirë e sigurisht që do të punojmë më shumë, derisa Kosova të jetë afër e bashkë me vendet e pastra për nga korrupsioni”, ka shkruar kryeministri.
Ndërsa në anën tjetër, ish-kryeministri Avdullah Hoti, duke publikuar një grafik me nivelin e korrupsionit gjatë viteve 2020 – 2021, ia ka lënë meritat qeverisjes së LDK-së.
“Dy qeveritë e udhëhequra nga LDK e kanë ndryshuar trendin për të mirë në çdo fushë”, ka shkruar ai.