image Edhe Franca kritika OBSH-së: Ka një lloj mangësie në reagim ndaj pandemisë Covid-19

Shëndetësi

Botë/ Edhe Franca kritika OBSH-së: Ka një lloj mangësie në reagim ndaj pandemisë Covid-19

news image

Kreu i diplomacisë franceze ka apeluar për një organizëm të ri shumëpalësh të shëndetit publik, duke pranuar mangësi në rolin e OBSH-së kundër pandemisë Covid-19.

Franca në këto rrethana ka qortuar megjithatë vendimin e Uashingtonit, për t’i pezulluar fondet agjencisë ndërkombëtare.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdon të jetë në qendër të kritikave për menaxhimin e situatës me pandeminë e koronavirusit.

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Franca shtoi presionin të mërkurën ndaj udhëheqjes së agjencisë së Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet ministrit të saj të Jashtëm, Zhon-Iv Lë Drion.

“Pa dyshim që duhen thënë disa gjëra për funksionimin e OBSH-së, për një lloj mangësie në reagim, për autonominë kundrejt shteteve, ndoshta edhe për diktimin dhe përçimin e informacioneve. Ky është një problem i brendshëm i organizatës dhe mendoj se kriza aktuale duhet të na bëjë ta rishohim rolin e çdo institucioni të rëndësishëm që kemi sot,” deklaroi kryediplomati francez Lë Drio gjatë një seance në komisionin e jashtëm të Senatit.

Franca një ditë më parë, megjithatë e qortoi propozimin e qeverisë amerikane, për t’i pezulluar qindra milionë dollarë fonde për agjencinë globale të shëndetit publik.

Kundër SHBA-së reaguan edhe Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara ndërsa specialistë të fushës e konsideruan vendimin krim kundër njerëzimit.

“Kur kombet e botës u takuan për të formuar Kombet e Bashkuara në vitin 1945, një nga gjërat që diskutuan ishte themelimi i një organizate për të mbrojtur dhe promovuar shëndetin e popullsisë së botës. Kjo mbetet kredoja jonë edhe sot,” deklaroi kreu i OBSH-së, Tedros Adanom, teksa shprehu keqardhje për vendimin e Uashingtonit.

Presidenti, Donald Trump e justifikoi të martën qëndrimin e tij duke renditur një sërë gabimesh, sipas tij, të organizatës, siç ishte neglizhimi i raportimeve për pandeminë e koronavirusit që nga muaji dhjetor, nxjerrjen e udhëzimeve të gabuara për transmetueshmërinë e sëmundjes, por edhe varësinë e tepruar te linja zyrtare e Kinës.

Trump është akuzuar vetë nga kundërshtarët e tij politikë për deklarata kontradiktore rreth Covid-19 dhe se reagimi i vonuar i administratës ka bërë që infeksionit të përhapet te mbi 650 mijë amerikanë, duke u marrë jetën mbi 30 mijë të tjerëve./Gazeta Sinjali/