image Edhe e prekura nga koronavirusi në Klinë është infermiere

Kosovë

Shëndetësi/ Edhe e prekura nga koronavirusi në Klinë është infermiere

news image

Rasti i ri i konfirmuar në Klinë është një infermiere nga fshati Çapiq e cila jeton dhe punon në një spital privat në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj, përmes një postimi në Facebook.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sapo ka konfirmuar edhe një qytetare të komunës së Klinës nga fshati Çabiq, të diagnostifikuar me virus. E infektuara me virus punon si infermiere në Spitalin Amerikan në Prishtinë dhe jeton në Prishtinë”, ka shkruar Elezaj.

I pari i Klinës ka njoftuar se menjëherë do të fillojë hulumtimi i kontakteve të mundshme i infermieres me persona të tjerë nga kjo komunë.

Ky ishte rasti i katër nga kjo komunë që rezultoi pozitiv në testin për koronavirus. Rasti i parë në këtë komunë, që ishte një shtetase italine, ishte konfirmuar më 13 mars dhe sipas kryetarit Elezaj, ajo është shëruar dhe është kthyer në Itali.

“Tashmë numri i të infektuarve nga komuna e Klinës ka arritur në katër. Një shtetase italiane, që tashmë është shëruar dhe është kthyer në Itali.
Një rast nga karantina, i ardhur nga Mali i Zi, i cili nuk ka pasur kontakt me persona të tjerë. Dhe dy infermiere, të cilat punojnë dhe jetojnë në Prishtinë, njëra në Klinikën Infektive në QKUK dhe personi i konfirmuar sot infermiere në Spitalin Amerikan”, ka shkruar ai.

Në fund, i pari i Klinës ka apeluar te qytetarët që t’i respektojnë me seriozitetin më të lartë udhëzimet dhe rekomandimet e institucioneve dhe ekspertëve shëndetësorë.

“Në asnjë mënyrë nuk duhet ta nënvlerësojmë rrezikun nga ky armik i padukshëm, në asnjë mënyrë nuk duhet të mendojmë që rreziku ka kaluar, javet në vijim janë me kritiket, duhet vetëm të shtojmë kujdesin dhe të respektojmë në përpikëri udhëzimet e ekspertëve. Me virus mund të jemi infektuar secili nga ne e mos të jemi në dijeni dhe kështu mund ta përhapim tek më të dashurit tanë. Zgjidhja e vetme për ta mposhtur virusin është të shmangim kontaktet me persona të tjerë e të mbajmë higjienën.
Është obligim njerëzor e moral i të gjithë neve që të zbatojmë udhëzimet e mjekëve”, ka përfunduar ai. /Gazeta Sinjali/