Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se sot kanë arritur edhe dy gazetarë ukrainas, Liudmyla Mekh dhe Serhii Shevchenko, të cilët do të vendosen në Prishtinë dhe do të jenë pjesë e programit “Journalist in Rresidence – Kosovo”.
Këta dy gazetarë do të kenë mundësi të vazhdojnë punën e tyre në Kosovë.
“Gazetarët veteranë kanë punuar në media të ndryshme në Ukrainë, dhe janë pjesë aktive e Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës (NUJU). Zonja Mekh është themeluese dhe presidente e Fondacionit “Iniciativa e Gazetarëve”, me bazë në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Gazetarët janë pritur në aeroport nga zyrtarja ligjore e ECPMF, Flutura Kusari, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe përfaqësues të MPB-së”, është thënë nga AGK-ja.
Programi “Journalists in Residence – Kosovo”, financohet nga Qeveria e Kosovës dhe mbulon qiranë për banesë, ofron pagesë mujore dhe sigurim shëndetësor për 20 gazetarët që pritet të mbërrijnë në Kosovë në javët në vazhdim.