image Edhe BE-ja del kundër idesë së Kurtit për taksën

Kosovë

Deklaratë/ Edhe BE-ja del kundër idesë së Kurtit për taksën

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar një letër nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell Fontelles.

Borrell përmes kësaj letre ka thënë se ka thënë se është i kënaqur që Kurti i ka vendosur si punë kryesore marrëdhëniet me BE-në, transmeton Gazeta Sinjali.

“Jam i kënaqur që marrëdhënien me BE-në e keni vënë si punë tuajën kryesore, kjo përputhet mirë me qasjen prioritare të BE-së ndaj të gjithë rajonit, përfshirë Kosovën. Ngjashëm, unë e mirëpres synimin tuaj në vazhdimin e reformave të domosdoshme që ta shtyjeni përpara sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen e mirë në Kosovë; këto janë elemente kyçe për të ardhmen tuaj”, thuhet fillimisht në letër.

Borrell më tej e ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, ku ka shtuar se normalizimi i marrëdhënieve është pjesë e rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt Evropës.

“Angazhimi juaj personal për arritjen e plotë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është pjesë e rëndësishme në për rrugën tuaj evropiane. Vendosmëria juaj është përzemërsisht e mirëpritur nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare. Unë besoj që si kryeministër ju do të udhëhiqni me negociatat në dialog në mënyrë gjithëpërfshirëse. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të duhej të jetë projekt unifikues, mbi politikën e brendshme, sepse do të fitojë përkrahje të gjerë politike nga gjithë lidershipi politik.”

Borrell ka shtuar se “Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare besojnë fuqishëm se rifillimi i bisedimeve të dialogut është i domosdoshëm dhe urgjent dhe do të kërkojë heqjen e plotë të tarifave. Sikur që e kemi përsëritur, ne po ashtu presim që Serbia ta bëjë pjesën e saj, për rifillimin e procesit”.

Ai thotë se me kryeministrin Kurtin është pajtuar që marrëveshjet e kaluara dhe obligimet e mbetura duhet të zbatohen plotësisht.

“Unë e mirëprita njoftimin tuaj javën e kaluar për tarifat, që paraqet hap të parë të mirë në drejtim të duhur. Neve na duhet heqja e plotë e tarifave. Në këtë kontekst unë pajtohem plotësisht me ju se marrëveshjet e kaluara dhe obligimet e mbetura duhet të zbatohen plotësisht. Serbia, sikur Kosova, duhet t’i përmbushë zotimet për zbatimin e atyre marrëveshjeve. Në letrën tuaj ju keni përmendur mekanizma monitorues dhe sanksionues: Bashkimi Evropian që nga fillimi i dialogut ka vendosur mekanizma konkret dhe gjithëpërfshirës për t’u siguruar se të dyja palët i përmbahen zotimeve të veta në marrëveshjet ekzistuese dhe ato në të ardhmen”, ka thënë ai.

Borrell tutje ka njoftuar se planifikon ta vazhdojë praktikën që ministrat e shteteve anëtare të informohen rregullisht në Këshill nga Përfaqësuesi i Lartë/ Zëvendës presidenti.

“Shtetet anëtare janë po ashtu të informuara rregullisht se sa i përmbahen të dy palët zotimeve të dialogut respektivisht, si pjesë e zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim në Kosovë, në Grupin e Veçantë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, dhe si në pjesën e procesit të anëtarësimit të Serbisë, nën kapitullin 35. Në vijim të bisedës tonë të fundit telefonike, do të doja t’iu konfirmoj se unë tashmë ua kam propozuar edhe formalisht shteteve anëtare emërimin e Miroslav Lajcak, si përfaqësues special i BE-së për dialog dhe për Ballkanin Perëndimor, për të më asistuar mua si lehtësues i BE-së. Unë shpresoj që ai mund të fillojë punën sa më herët. Nga ana ime, unë zotohem të mbes afërsisht i angazhuar në këtë proces dhe të bëj më të mirën për ta çuar përpara sa më shpejtë dhe në mënyrë efektive. Nga një rezultat pozitiv do të përfitonin të dyja edhe Kosova edhe Serbia, rajoni i gjerë dhe vet BE-ja në fund”, ka shkruar ai.

Në fund, Borrell ka thënë se në të ardhmen e afërt e mirëpret takimin me Kurtin në Bruksel, në mënyrë që të vazhdojnë diskutimet dhe t’ua ofrojë ndihmën e Aksionit të Jashtëm të Bashkimit Evropian (EEAS) në përgatitjen e Kosovës për rifillimin e dialogut.