Xhelal Sveçla nuk është zyrtari i vetëm i Lëvizjes Vetëvendosje që është parë në afërsi të Marko Gjuriqit gjatë një konferencë që po mbahet në Tiranë. Gazeta Sinjali ka siguruar një fotografi, e cila shfaq liderin e LVV-së, Albin Kurtin, në tavolinë me drejtorin e të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.
Pas raportimeve të mediave për takimin mes tyre, zyra për informim e Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë të ditur se Sveçla u takua me Gjuriqin në kuadër të konferencës “Bashkëpunimi Rajonal” nën organizimin e organizatës CIG.
“Ky nuk është takim i Xhelal Sveçlës me Marko Gjuriqin, por është pjesëmarrje në konferencën ndërkombëtare, me të gjitha subjektet politike të rajonit, që po mbahet me temën “Bashkëpunimi Rajonal” nën organizimin e organizatës CIG. Në tryezë janë shumë edhe shumë zyrtarë të tjerë të partive nga Kosova, përveç shumë subjekteve rajonale, e jo takim i përveçëm”, thuhet në përgjigjen e LVV-së për Gazetën Sinjali.
Ndërsa, reagime të shumta kanë bërë qytetarët për fotografinë e tyre, kur dihet se Gjuriqi është mohues i masakrës së Reçakut.
Pjesëmarres në këtë konferencë është edhe Ardian Gjini i AAK-së, Arban Abrashi i LDK-së etj. /Gazeta Sinjali/