image Edhe AAK kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë

Politikë

Edhe AAK kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë

news image

Pas PDK-së e LDK-së, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po e kundërshton mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Këto reagime erdhën pasi shtetet e QUINT-it dhe BE-ja po kërkojnë që Kosova të lejojë mbajtjen e këtij referendumi.

Pas kësaj deklarate, ambasadorët e shteteve të QUINT-it janë duke zhvilluar një takim të përbashkët në presidencë bashkë me kryeministrin Kurti.

Komuniteti ndërkombëtar sot tha se me keqardhje ka pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar. Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

/GazetaSinjali/