Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë treguar sot për zhvillimet më të fundit në gjykatë, ku Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik, tregoi se në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, Paneli i Apelit ka caktuar një seancë apeli më 1 dhe 2 dhjetor 2022.
Ajo tregoi se gjykatësit vënë në dukje se, bazuar në Rregullore, vendimi mbi apelin kundër aktgjykimit mund të merret tërësisht mbi bazën e parashtrimeve me shkrim. Sidoqoftë, ata e gjykojnë të nevojshme seancën për shkak të rrethanave konkrete të kësaj çështjeje, mes të cilave gjatësia dhe kompleksiteti i aktgjykimit.
Ndërsa sipas Griep në çështjen Thaçi dhe të tjerët, më 20 tetor Zyra Administrative dorëzoi raportin e nëntë mbi pjesëmarrjen e viktimave. Në raport, Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave rekomandon që 11 nga 19 parashtruesit e kërkesave të pranohen si viktima në proces.
Sipas Zyrës së Pjesëmarrjes së Viktimave, krimet që ata pretendojnë se kanë pësuar përkojnë me vendet dhe kohët e përmendura në aktakuzë.
“Viktimat banojnë në shtete të ndryshme. Ndër ta përfshihen viktimat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta. Viktimat e drejtpërdrejta tregojnë se kanë pësuar dëm për shkak të ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe/ose torturës në një nga vendet e ndalimit që përmenden në Aktakuzën e konfirmuar”, tha Griep.
Më tej ajo shtoi se viktimat e tërthorta pretendojnë se kanë pësuar dëm si rezultat i përndjekjes, ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor, torturës, zhdukjes me forcë dhe/ose vrasjes së paligjshme të një anëtari të familjes.
Shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës, tregoi se Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave vlerësoi se të gjitha viktimat kanë pësuar krime të ngjashme me ato që pretendohet se janë kryer nga të njëjtët kryes në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Për rrjedhojë, Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave rekomandoi që 11 viktimat e tjera të përfshihen në grupin ekzistues prej 32 viktimash pjesëmarrëse në këtë çështje dhe të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës viktimash.
Angela Griep, theksoi se Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave konstatoi më tej se, ashtu si në rastin e grupit ekzistues të viktimave pjesëmarrëse, të 11 parashtruesit e kërkesave duhet të konsiderohen veçanërisht të cenueshëm pasi vuajnë ende nga trauma dhe shprehin frikë dhe shqetësim për sigurinë e tyre dhe të familjeve të tyre, nëse identiteti i tyre bëhet i njohur. Për rrjedhojë, Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave e çmon të nevojshme që identitetet e tyre të mbahen konfidenciale.
Gjykatësi i Procedurës Paraprake do të vendosë në lidhje me kërkesat e viktimave si dhe mbi rekomandimet për mbajtjen konfidenciale të identiteteve të tyre.