Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdojnë, teksa ende nuk është gjetur rruga për deeskalimin e kësaj situate. Përkundrazi, kidnapimi i tre policëve brenda territorit të Kosovës si dhe serbët e arrestuar së fundmi në Kosovë, kanë vënë në diskutim se si do të vazhdojë dialogu mes dy shteteve, raporton Gazeta Sinjali.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka folur rreth zgjedhjeve që mund të shërbejnë për shtensionimin e kësaj situate, i cili tha se duhet të punojnë menjëherë për një plan për uljen e tensioneve.
“Bashkimi Evropian ka paraqitur tashmë një plan me disa pika, pra që kryetarët të dalin nga godina, KFOR-i të marrë përsipër sigurinë e ndërtesave, protestuesit të largohen, personat që sulmuan policinë dhe gazetarët të mbahen përgjegjës, dhe të thirren zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e serbëve pa asnjë parakusht dhe rikthim i menjëhershëm tek dialogu”, u shpreh Escobar.
Po ashtu, Escobar tha se kanë mbajtur gjithnjë anën e Kosovës për të gjitha mosmarrëveshjet, teksa shtoi se sikur në Kosovë edhe në Serbi ka pasur presion të njëjtë për uljen e tensioneve.
“Ne gjithashtu i kemi kërkuar Serbisë të heqë forcat nga kufiri në mënyrë të njëanshme, pa kushte; të inkurajojë serbët të rikthehen pa kushte. Dhe ai ka rënë dakord për të dyja këto. Pra nuk është e qartë se çfarë na nevojitet tjetër, përveçse të përparojmë me dialogun”, u shpreh ndër tjera ai.