E veja e Chris Cornellit po e padit ish-bendin e bashkëshortit të saj të ndjerë “Soundgarden”, për pretendimet rreth honorarëve të papaguar, sipas raporteve të mediave.
Vicky Cornell ka paraqitur padi në gjykatën federale në Florida, në të cilën pretendon se janë shkelur të drejtat e autorit të disa këngëve të papublikuara. Aty thuhet se qindra mijëra dollarë janë “borxh i padiskutueshëm” ndaj saj dhe fëmijëve të tyre.
Në dokumentet e gjykatës thuhet gjithashtu se ish-kolegët e Cornell në “Soundgarden” po përpiqen ta përvetësojnë punën e tij intelektuale në mënyrë që të mund t’i shpërndajnë këngët e tij të papublikuara pa e paguar kompensimin për familjen e tij.
Gjithashtu thuhet se Soundgarden shpeshherë ka shfrytëzuar taktikat e presionit, shqetësimit, shndërrimet e paligjshme të së drejtës autoriale dhe zhvatjes, ndërsa nga ana tjetër, nga bendi sugjerojnë që Vicky po e bllokon publikimin e këngëve të reja, shkruan Koha Ditore.
Kujtojmë se Cornell u gjet i vdekur në një dhomë hoteli në Detroit, në maj të vitit 2017, ku kishte bërë vetëvrasje.
Në një postim në Instagram ditë më parë, e veja e tij Vicky tha se nuk do ta linte bashkëshortin e saj mënjanë për shkak të rehatisë ose fitimeve të dikujt tjetër.