Vajzat dhe gratë vazhdojnë të mbeten viktimat më të shpeshta të dhunës në familje. Bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes në shumë raste ushtrojnë dhunë sistematike në mënyra të ndryshme ndaj tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Në Polici ka përfunduar dje 38-vjeçari nga Prishtina, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, 26-vjeçare.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari e ka sulmuar fizikisht gruan e tij, duke e rrahur me grushte e shqelma.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, teksa edhe viktima ka dhënë dëshminë e saj para hetuesve policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.