image E tmerrshme: 53-vjeçari ngacmon seksualisht të miturën në autobusin për Gjilan, i shkoi mbrapa dhe e preku

Siguri

E tmerrshme: 53-vjeçari ngacmon seksualisht të miturën në autobusin për Gjilan, i shkoi mbrapa dhe e preku

news image

Ngacmimet dhe sulmet seksuale ndaj vajzave të mitura janë një fenomen mjaft shqetësues në vendin tonë që po alarmon të gjithë. Siguria e vajzave po cenohet edhe në hapësira publike, shkolla, mjete të transportit e në rrugë. Të dyshuarit për këto raste jo rrallëherë dalin të jenë edhe persona në moshë të shtyrë, siç ka ndodhur me një rast para dy ditësh në Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një 53-vjeçar po dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht një vajzë 17-vjeçare, teksa po udhëtonin në të njëjtin autobus për Gjilan. Ai është arrestuar pas denoncimit të rastit dhe tashmë ndaj tij është bërë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë.

Sinjali ka mësuar detaje se si 53-vjeçari tentoi ta keqtrajtojë seksualisht vajzën derisa ndodheshin në autobusin e kompanisë “Dritoni Trans” në drejtim të fshatit Shurdhan.

Bazuar në dosjen e Prokurorisë ndaj të dyshuarit, i njëjti ia kishte mësyrë vajzës me plan, ku fillimisht e ka vëzhguar duke ia përcjellur lëvizjes e më pas i është afruar. I dyshuari i cili jeton në fshatin Shurdhan të Gjilanit dhe është i martuar po dyshohet se e ka prekur vajzën në bel, duke ia zgjatur dorën nga mbrapa, derisa e mitura i ka reaguar.

Kjo situatë i ka krijuar asaj pasiguri, frikë dhe shqetësim të madh, me ç’rast ka kërkuar ndihmën e   Policisë, duke e denoncuar rastin, se si ishte ngacmuar seksualisht. Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë dhe brenda kësaj periudhe është përgatitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Në arsyetimin e Prokurorisë thuhet se i njëjti duhet të dërgohet në paraburgim, pasi nëse lihet i lirë mund ta përsërisë veprën e njëjtë penale apo të kryej ndonjë vepër tjetër. Ndaj tij është ngritur po ashtu edhe kallëzim penal, ku janë bashkangjitur prova materiale, siç janë fotografi dhe video dhe deklaratat e viktimës.

/GazetaSinjali/