image E tmerrshme: 11-vjeçarja e dhunuar te parku "Arbëria", dhunohet edhe në strehimore – tash nga një e mitur

Sociale

E tmerrshme: 11-vjeçarja e dhunuar te parku “Arbëria”, dhunohet edhe në strehimore – tash nga një e mitur

news image

Rasti i rëndë i 11-vjeçarës, e cila ishte dhunuar vitin e kaluar nga pesë persona në Parkun e Arbërisë në Prishtinë, dyshohet se ndodhi përsëri, ku e njëjta është dhunuar këtë herë nga një e mitur tjetër në strehimoren në të cilën po rehabilitohej, raporton Gazeta Sinjali.

Për këtë rast ka reaguar Rrjeti i Grave i Kosovës, ku sipas tyre vepra në fjalë paraqet edhe një dështim institucional në trajtimin e dhunës me bazë gjinore, duke shprehur edhe shqetësimin e thellë të tyre për përsëritjen e traumatizimit te viktima.

“Dje më 16 qershor, në emisionin “Udhëve” të transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës, u bë publik edhe një dështim institucional në trajtimin e dhunës me bazë gjinore, ndaj të miturës 11 vjeçare, e cila ishte e strehuar në strehimoren e sigurisë së lartë, e vetmja strehimore shtetërore nën Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shprehu shqetësimin e thellë për dështimin institucional në mbrojtjen e viktimave të dhunës me bazë gjinore brenda hapësirave të kësaj strehimoreje.

Dhunimi i një vajze 11 vjeçare brenda një strehimore të sigurisë së lartë shfaq hapur dështimin dhe neglizhimin institucional. Përveç dështimit të qartë në rehabilitimin e viktimave të dhunës me bazë gjinore, institucioni ngarkon viktimat me vepra penale dhe përsëritjen e traumatizimit”, thuhet në reagimin e tyre.

RrGK gjithashtu shtoi se “përderisa 11 vjeçarja u dhunua në Parkun e Arbërisë nga pesë persona të ndryshëm, e njëjta u dërgua në strehimore për rehabilitim. Gjatë periudhës kur ajo është dashur që të rehabilitohet dhe të marrë ndihmën e nevojshme për të tejkaluar traumat nga dhunimi, pikërisht në institucion rehabilitues ajo dhunohet përsëri”.

RrGK kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme që të shkarkojë menjëherë personat përgjegjës nga strehimorja e sigurisë së lartë dhe të njëjtit të bartin pasojat për veprën penale që ka ndodhur brenda institucionit të tyre.

“Gjithashtu, RrGK kërkon nga Prokuroria që të hetojë rastin me seriozitet dhe të sigurojë që viktima të marrë shërbimet e nevojshme. Është e rëndësishme që drejtësia të zbatohet në mënyrë të plotë dhe të gjithë përgjegjësitë për këtë vepër penale të përballen me ligjin dhe të ndëshkohen me përgjegjësi të plotë. RrGK po ashtu bën thirrje që gjatë punës me të miturën të ketë një qasje me fokus ndaj viktimës dhe që e njëjta të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme”.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar rastin ku treguan se është iniciuar rasti ‘dhunim’.

“Prokurori për të mitur pranë Prokurorisë Themelore në Gjakovë me datën 16 maj 2023, ka nxjerrë aktvendimin për inicimin e procedurës përgatitore ndaj të miturës, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kishte për të kryer veprën penale Dhunimi nga neni 227 pargrafi 7, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila vepër është kryer ndaj një të miture tjetër që ka qenë e strehuar në strehimore”. “Viktima e përdhunimit është e njohur si “11 vjeçarja” në rastin e mëhershëm”, sqaron Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Nga policia shpjegojnë se është iniciuar rast për veprën penale të përdhunimit. Bazuar në të gjeturat dhe moshën e viktimës, është iniciuar rasti ‘dhunim’ dhe në prokurori është dërguar kallëzim penal”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Kujtojmë se për rastin në fjalë Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht se të dyshuarit që u kapën për këtë rast ishin: Liridon Gashi, Blendin Sadiku, Gezim Sadiku, Driton Rrahmani, Muhamet Restelica, Flamur Sadiku dhe Muhamet Sadiku.

/GazetaSinjali/