image E rëndë: 24-vjeçarit në Prizren i bie ‘armatura’ në kokë duke dalë nga vendi i punës, dërgohet me urgjencë në spital - Sinjali

E rëndë: 24-vjeçarit në Prizren i bie ‘armatura’ në kokë duke dalë nga vendi i punës, dërgohet me urgjencë në spital

news image

Nuk janë të rralla rastet kur punëtorët pësojnë lëndime në vendet e tyre të punës. E një rast i tillë ka ndodhur sot rreth orës 17:00 në rrugën ‘Turgut Ozal’ në lagjen Bajram Curri në Prizren, ku në vendin e tij të punës është lënduar një 24-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se 24-vjeçari pasi kishte përfunduar punën në një kompleks banesor, duke dalë nga vend punishtja një shufër metalike (armaturë)  i ka rënë në kokë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se atij i janë shkaktuar lëndime të rënda trupore, pasi që shufra metalike ka arritur që t’i depërtojë në kokë 24-vjeçarit.

Si pasojë e lëndimeve të marra ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal ku i është dhënë udhëzimi që të drejtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Rasti është denoncuar edhe në Polici, me ç’rast njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku më pas është njoftuar edhe Prokurori kujdestar.

Me urdhër të prokurorit është hapur rast ‘Dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë’.

Kujtojmë se janë të shpeshta rastet kur në mungesë të mjeteve adekuate mbrojtëse në vendet e punës, shumë punëtorë kanë humbur jetën.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin