image E moshuara të cilës Stanishiqi ia vrau 5 familjarë: Qava prej sabahut, ai gjallë e djemtë e mi hanë dhe pa pikë faji

Sociale

E moshuara të cilës Stanishiqi ia vrau 5 familjarë: Qava prej sabahut, ai gjallë e djemtë e mi hanë dhe pa pikë faji

news image

Goran Stanishiq është dënuar me 20 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi u gjet fajtor për vrasjen e 13 civilëve në Sllovi të Lipjanit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kjo e martë ia riktheu gjithë dhimbjen që e ndjeu me 15 prill të vitit 1999. Zejnepe Gashi, kështu e priti lajmin se Goran Stanishiqi është dënuar, për vrasjen e 13 civilëve kosovarë.

Pesë nga viktimat për vrasjen e të cilëve u dënua Stanishiq, janë të familjes Gashi, nga fshati Sllovi e Lipjanit. E gjithë këto vrasje u bënë para syve të saj, raporton T7.

Prandaj, dënimi prej 20 vitesh për Goran Stanishiqin, nuk është i mjaftueshëm, sipas Zejnepe Gashit. Ajo kërkon burgim të përjetshëm.

E të njëjtën kërkesë e kanë edhe familja Gashi, nga fshati Tërbovc. Gazmend Gashi, i cili jeton jashtë Kosovës, thotë se i vetmi dënim për të, do të duhej të ishte burgimi i përjetshëm.

Gashi thotë se ajo çka ndodhi gjatë luftës, po vazhdon t’u shkaktojë vuajtje familjes.

Aktgjykimi ndaj Stanishiqit u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj./Gazeta Sinjali/