Se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është shndërruar në prioritetet kryesor të Gjermanisë, këtë e konfirmon edhe Udine Ruge, këshilltar për çështje evropiane të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Duke iu referuar deklaratës së kancelarit Scholz me 29 gusht në samitin e mbajtur në Pragë të Republikës Çeke, këshilltari Ruge rikujton se samiti i së enjtes në kuadër të Procesit të Berlinit, është pjesë e këtij angazhimi edhe personal të kreut të qeverisë gjermane.
“Më duhet të theksoj edhe një herë se ky nuk është samit i BE-së, edhe nëse në të marrin pjesë liderët e BE-së”, rikujtoi Ruge, në një konferencë për media të mbajtur në Berlin.
“Ka një proces tjetër që organizohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel me 6 dhjetor”, tha Ruge, duke sqaruar se ai samit organizohet nga BE-ja.
Ai deklaroi se nga samiti në Bërdo në Slloveni në tetor 2021, ka një marrëveshje për mbajtjen një herë në vit të një takimi të nivelit të lartë midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Përgatitjet për këtë samit në dhjetor sapo kanë filluar. Këtë po e përmend vetëm për të thënë se samiti i Procesit të Berlinit është ndërthurje”, u shpreh zyrtari i lartë i shtetit gjerman.
Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen me 3 nëntor në Berlin në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ata do të nënshkruajnë tri marrëveshje të cilat vlerësohet si i japin dinamikë të re gjendjes aktuale në këtë rajon.
Marrëveshjet që do të nënshkruhen janë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, pastaj njohjen reciproke të diplomave universitare si edhe të kualifikimeve profesionale./RTK/