Eros Grezda u bë protagonist negativ pak ditë më parë, sepse sulmoi dhe qëlloi me grusht futbollistin kroat të Rijekës, Antonio Colak, në parkingun e stadiumit, pas një ndeshjeje të Kupës së Kroacisë.
Pikërisht për këtë sjellje, sulmuesi gjakovar i Osijekut u pezullua për 4 ndeshje mes kampionatit dhe kupës, nga organet e disiplinës pranë Federatës Kroate të Futbollit, që konkludoi se Grezda ka shkelur nenin 57 të rregullores së disiplinës.
Vetë sulmuesi pas ndeshjes deklaroi se ishte ofenduar për prejardhjen në mënyrë të vazhdueshme nga Colak, si gjatë ndeshjes, ashtu edhe pas saj, ndaj edhe kishte reaguar ashtu në parking.
Vlen të theksohet se dënimi është më i lehtë nga sa ishte parashikuar, pasi mediat kroate kishin aluduar për një pezullim minimal prej 6 javësh dhe maksimal prej 6 muajsh.