Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i frikshëm ka ndodhur dje në fshatin Trestenik të Pejës, ku janë dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një grua, e cila ka deklaruar se ka dëgjuar krismën dhe me vrap ka dalë në katin e sipërm të shtëpisë që të shohë se çfarë ka ndodhur. Por ajo u tmerrua kur pa se plumbi kishte përfunduar në një nga dyert e dhomave të shtëpisë.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, mirëpo nuk dihet ende se nga cili drejtim kanë ardhur të shtënat e as kush i shkrepi ato. Janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.