Një rast i dhunës në familje është raportuar në Klinë, ku një e re ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi ka pretenduar se po përballej me dhunë të vazhdueshme psikike nga bashkëshorti i saj.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Migjeni” në Klinë.
Sipas deklarimit të viktimës, F. G., ajo kishte pasur probleme të vazhdueshme me bashkëshortin e saj, A. G., i cili, sipas saj, ushtronte dhunë psikike në mënyrë të vazhdueshme. Ajo ka deklaruar para Policisë se gjatë incidentit të fundit është goditur edhe me shuplakë në pjesën e qafës.
Gjatë trajtimit të rastit është intervistuar edhe dëshmitarja, nëna e të dyshuarit, e cila ka konfirmuar se mes çiftit kishte pasur kontakt fizik, duke deklaruar se djali i saj e kishte goditur viktimën një herë.
Pas ndërhyrjes së Policisë dhe intervistimeve të nevojshme, viktima është dërguar, me pëlqimin e saj, në shtëpinë e familjes së saj së bashku me djalin e saj 5-vjeçar.
Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare, e cila ka urdhëruar inicimin e veprës penale “Dhunë në familje”.
I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!