Distancimi social është një ndër masat që theksohet më shpesh dhe më fort nga autoritetet në këto kohë të vështira pandemie dhe sidomos për të rinjtë, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të COVID-19.
Moszbatimi i kësaj mase kaq të thjeshtë, por shumë të nevojshme e ka detyruar bashkinë e Los Angelesit të marrë një vendim shumë të rreptë duke qenë se festat e të rinjve tashmë nuk organizohen më nëpër lokale apo disko, por në shtëpi luksoze në kodra.
Kryetari i LA, Eric Garcetti deklaron se qyteti do t’ua ndërpresë ujin dhe rrymën këtyre vilave që shkelin rregullat anti-COVID duke organizuar grumbullime të palejuara dhe duke u bërë një rrezik eminent për shpërndarjen e virusit vdekjeprurës.
Kalifornia është një nga shtetet më të goditura nga pandemia në SHBA, ku që nga nisja e saj janë regjistruar mbi 530 mijë të infektuar. /Gazeta Sinjali