image E ardhmja e Kosovës varet nga marrëdhëniet paqësore me fqinjët e saj

Kosovë

Kosnett/ E ardhmja e Kosovës varet nga marrëdhëniet paqësore me fqinjët e saj

news image

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Philip Kosnett ka deklaruar se forcimi i marrëdhënieve politike e ekonomike fqinjësore është rruga e vetme drejt anëtarësimit të Kosovës dhe rajonit në bashkësine evropiane.   

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, me Serbinë, me të gjitha vendet në rajon për t’u përpjekur për ta ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë. Do ta mbështesim këtë proces, por çfarëdo zgjidhjesh që paraqiten duhet të përcaktohen nga njerëzit në rajon dhe duhet të jenë të qëndrueshme. I takon popullit të Kosovës që ta përcaktojë rrugën e vet”, ka thënë Kosnett në një intervistë për mediumin lokal të Vushtrrisë, Radio Vicianum.

Ai ka shtuar se udhëheqësit e Kosovës e dinë fare mirë që e ardhmja e Kosovës varet nga marrëdhëniet paqësore me fqinjët e saj dhe lidhjet e ngushta me pjesën tjetër të Evropës dhe se nuk mendon që dikush nuk pajtohet me këtë.

“Në të njëjtën kohë, dua t’ju siguroj që Shtetet e Bashkuara angazhohen ta vazhdojnë miqësinë dhe partneritetin e ngushtë me Kosovën. Nuk ka zgjedhje për t’u bërë: Kosova ka nevojë për lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe me fqinjët e saj evropianë gjithashtu”

Kosnett ka thënë se dëgjon që njerëzit ankohen shumë për gjendjen në Kosovë, për ekonominë e dobët, për mungesën e vendeve të punës, për korrupsion. Ai ka thënë se këto natyrisht janë probleme serioze por zgjidhja sipas tij, nuk qëndron në ndonjë gjë që bashkësia ndërkombëtare do të bëjë por tek njerëzit e Kosovës që kanë aftësinë, energjinë dhe guximin për ta marrë kontrollin për të ardhmen e tyre. /Gazeta Sinjali/