image Dyshohet se 23 shqiptarë janë në varrezën e supozuar masive në veri të Kosovës

Kosovë

Dyshohet se 23 shqiptarë janë në varrezën e supozuar masive në veri të Kosovës

news image

Dyshohet se në fshatin Dreth të Leposaviqit, gjendet një varrezë masive me 23 shqiptarë të vrarë në kohën e luftës së fundit në Kosovë.

Kushtrim Gara, nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit, thotë se pos fshatit Dreth, dyshohet se edhe në tri lokacione të tjera në Kosovë mund të ketë varreza masive.

“Pos fshatit Dreth, për varreza masive kemi dyshime edhe në fshatin Marinë  të Komunës së Skenderajt dhe disa lokacione tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës”, deklaroi Gara për RTV Dukagjinin.

Kryetari i KLMDNJ për rajonin e Mitrovicës, Halit Berani thotë se ka dyshime që në këtë lokacion janë vrarë 23 intelektualë nga Mitrovica.

“Në atë vend kanë rënë në dorë të kriminelëve serbë 23 shqiptarë, të gjithë intelektualë, në mesin e të cilëve është edhe vëllai im. Me 19 prill janë zënë dhe janë pushkatuar. Në mesin e tyre dy kanë shpëtuar”,  tha ai.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për persona të pagjetur pritet të mbajë një mbledhje për të diskutuar për disa lokacione tjera që dyshohet se mund të ketë varreza masive.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka thënë se janë në pritje të imazheve satelitore për lokacionin e saktë të varrezës së dyshuar masive.

/GazetaSinjali/