Sot bëhen dy vjet prej kur virusi i njohur korona ‘zbarkoi’ në Kosovë. Lufta kundër tij ka qenë e rëndë, pasi ka shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve. E përpos kësaj ka ndërruar të gjithë dinamikën e jetës, duke krijuar probleme edhe në jetën mendore të njerëzve e duke i prekur thellë në xhep.
Më 13 mars të vitit 2019 u paraqitën dy rastet e para me COVID-19, virusin që tashmë kishte ‘bërë vend’ në çdo cep të botës, shkruan Sinjali.
Ndonëse u morën masa kufizuese, e vendi hyri në karantinë për rreth dy muaj, ishte e vështirë të evitohej infektimi me koronavirus. Në këto dy vite, 226 mijë e 845 qytetarë e provuan shijen e këtij virusi.
Por fatkeqësisht, përballja me COVID-19 nuk ka qenë e lehtë për shumë njerëz, të cilët nuk arritën ta mposhtin virusin ‘famëkeq’. Brenda këtyre dy viteve, si pasojë e COVID-19 kanë ndërruar jetë 3 mijë e 124 persona.
E numër shumë më i lartë sa i përket shifrave të publikuara nga IKShPK, është për personat që e kanë fituar betejën me COVID-19. Sipas statistikave, nga koronavirusi janë shëruar 222 mijë e 973 persona.
Gjatë dy viteve përballje me pandeminë, vazhdimisht ka pasur masa kufizuese, nganjëherë më të ashpra e nganjëherë më të lehta.
Më 1 mars të vitit 2022, Qeveria e udhëhequr nga Kurti ka miratuar masat e reja, që janë ende në zbatim. Sipas këtyre masave, largohet ora policore, e cila ka qenë kërkesë e qytetarëve dhe bizneseve.
Ditëve të fundit ka rënë numri i rasteve të reja, pasi gjatë festave të fundvitit pati rritje rekord të rasteve me COVID-19. Rënia e rasteve ka ndikuar që edhe spitalet të lehtësohen, pasi ishin të stërngarkuara me pacientë.
Dje Shërbimi Spitalot Klinik dhe Universitar i Kosovës njoftoi se vetëm nëntë pacientë me koronavirus janë duke u trajtuar në QKUK.
Në lidhje me situatën epidemiologjike, ekspertët shëndetësorë ka kohë që thonë se është në kontroll.
Për t’u mbrojtur nga COVID-19, po vazhdon procesi i vaksinimit. Deri tash, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë janë administruar 1 milion e 817 mijë e 550 doza të vaksinës për mbrojtje ndaj COVID-19. /GazetaSinjali/