28 raste të reja me koronavirus janë konfirmuar sonte në Kosovë, dy prej të cilëve janë nga Komuna e Rahovecit.
Rastet e fundit janë raste kontakti me një të moshuar e cila ndodhet në Klinikën Infektive në Prishtinë dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak edhe të sëmundjeve tjera shoqëruese.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i komumës, Smajl Latifi i cili tha se gjendja shëndetësore e të infektuarve të tjerë është stabile.
“Sonte janë regjistruar dy raste të reja në komunën tonë. Janë raste kontakti me një grua të moshuar, e cila është në Infektive dhe në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka edhe probleme të tjera shoqëruese. Gjendja shëndetësore e të gjithë të infektuarve të tjerë është stabile”, tha Latifi në RTV Dukagjini, përcjell Gazeta Sinjali.
Që nga fillimi i pandemisë, deri tani në Komunën e Rahovecit janë konfirmuar gjithsej 38 raste pozitive me koronavirus, 31 prej të cilëve janë shëruar ndërsa aktiv janë edhe 7 raste./Gazeta Sinjali/