image Dy shtatzëna të prekura me koronavirus pritet të lindin në QKUK

Kosovë

Shëndetësi/ Dy shtatzëna të prekura me koronavirus pritet të lindin në QKUK

news image

8 punëtorë shëndetësorë të Spitalit rajonal të Prizrenit kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Mosidentifikimi i burimit të infeksionit ka bërë që Instituti i Shëndetit Publike të nisë gjurmimin e kontakteve të tyre, duke marrë 53 mostra për testim, në mesin e tyre pacientë dhe staf shëndetësor i Spitalit të Prizrenit, raporton KOHA.

Në Klinikën Infektive 48 pacientë po vazhdojnë të trajtohen, ku 8 prej tyre janë me oksigjeno-terapi dhe 2 në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Numri i rasteve të konfirmuara ditëve të fundit, sipas infektologëve, tregon se Kosova ende nuk e ka kaluar fazën kritike.

Në Kosovë deri më tani 6 shtatzëna janë konfirmuar me COVID-19. Njëra prej tyre, në javën e 35-të, gjendet në Klinikën Infektive.

Brenda disa javësh, Klinika e Gjinekologjisë pritet të kryejë dy lindje të shtatzënave me koronavirus.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, thotë se ende nuk është vërtetuar se virusi transmetohet te fetusi, duke shtuar se kanë përgatitur repart të veçantë për t’i kryer këto lindje.

Në testimet e fundit, një fëmijë 2-vjeçar ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Zyrtarët në Istog kanë thënë se prindërit e fëmijës gjithashtu janë të prekur dhe dyshohet se ata u infektuan gjatë një varrimi dhe të pame që kishte ndodhur në Pejë.

Deri më tani, në Kosovë me koronavirus janë të infektuar mbi 670 persona dhe mbi 160 janë të shëruar./Gazeta Sinjali/