Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht për rrëmbimin e dy shqiptarëve nga Maqedonia nga pesë persona, në mesin e tyre edhe dy policë.
Policia e Kosovës nga rajoni i Gjilanit, ka dhënë detaje lidhur me këtë ngjarje, që dyshohet të ketë ndodhur në vilën “Gështenja” në fshatin Stanishor, të Komunës së Novobërdës.
Viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Gjilanit.
Policia thotë se mëngjesin e sotëm ankuesi shtetas i Maqedonisë së Veriut nga Kumanova ka raportuar policinë e Kosovës në Gjilan se një person i panjohur i kishte dërguar video në telefon të dy viktimave, (njëri nga viktimat vëlla i ankuesit) po ashtu shtetas të Maqedonisë së Veriut, dhe i kishte thënë se ata po i mbanin në një objekt e ku shiheshin të lidhur. Aty po ashtu shihej edhe një femër.